Tirana, pa zona të qeta

Mungon informimi publik mbi ndotjen akustike dhe politikat për krijimin e "Zonave të Qeta" në Tiranë

Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), ndotja akustike, renditet pas ndotjes së ajrit, përsa i përket numrit të sëmundshmërisë dhe vdekjeve. Kjo problematikë është trajtuar pak në media dhe publiku ka shumë pak informacion ose aspak mbi impaktet që sjell ndotja akustike në shëndet, në përqëndrimin dhe eficencën në shkollë dhe punë, në problemet psikologjike që shkakton si ankth apo stres, në crregullimet e gjumit etj. Sipas një studimi të fundit, ekspozimi i zgjatur ndaj ndotjes së ajrit dhe trafikut rrit rrezikun e infarktit të zemrës tek gratë.

Studimi tregoi se dy ndotës të zakonshëm të ajrit, grimcat e imëta dhe dioksidi i nitrogjenit dhe ndotja e zhurmës së trafikut ndikuan në aftësinë e zemrës për të pompuar gjakun në mënyrë normale. Si rezultat, gratë që u ekspozuan ndaj këtyre ndotësve për 3 vjet kishin një rrezik prej 17% në rritje të problemeve me zemrën.

Në Planin e Veprimit për kontrollin e zhurmave në Bashkinë e Tiranës 2021-2026, nuk planifikohet krijimi i Zonave të Qeta, për tu frekuentuar nga publiku i gjerë, por vetëm krijimi i zonave të qeta pranë kopshteve dhe azileve për të moshuarit. Në një qytet si Tirana, e cila rritet çdo ditë, ndotja akustike pritet të rritet akoma më shumë, me ndërtimin e “Kullave”, të cilat po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Mungon një plan i qartë i veprimit, me marrjen e masave konkrete ndaj një situate të re që do të krijohet, nga shtimi i makinave. Po rritemi në sasi, por jo në cilësi.

Urbanizimi është një proces që ndodh kudo, por pa marrjen e masave konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmave, shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, ai zhvillohet në mënyrë kaotik.

Megjithatë, për ti dhënë ngjyra optimiste situatës, hartimi i një plani veprimi nga Bashkia e Tiranës është një hap pozitiv. Kjo tregon, sjelljen në vëmendje të një problemi që nuk ka qenë në vemendjen e politikanëve, në nivel lokal dhe qendror. Krijimi i Inspektoriatit të Ndotjes Mjedisore brenda Bashkisë së Tiranës është një element pozitiv.  

Sa efektiv do të jetë ky plan, mbetet për tu parë…