Takim me ekspertë për të frenuar zhurmat në Tiranë

Gjatë këtij takimi u vu theksi tek rëndësia e ndërgjegjësimit publik, për të arritur një masë kritike që do të ushtroj presion tek vendimmarrja lokale dhe qendrore

Në datë 16 dhjetor, në mjediset e Hotel Tirana, u zhvillua tryeza me ekspertë të ndotjes akustike. Në këtë  takim morën pjesë përfaqësues nga  Drejtoria e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, nga organizatat mjedisore, nga institucionet akademike, aktivistë të mjedisit etj.

Gjatë këtij takimi u vu theksi tek rëndësia e ndërgjegjësimit publik, për të arritur një masë kritike që do të ushtroj presion tek vendimmarrja lokale dhe qendrore. Monitorimet janë të rëndësishme për të pasqyruar problematikën, gjendjen reale por pa marrë masa konkrete, këto monitorime mbeten të pavlefshme, u shpreh ndër të tjera eksperti i fizikës i cili është marrë ndër vite me ndotjen akustike z. Shkelqim Mema. Gjithashtu ai e vuri theksin tek ndërgjegjësimi publik, stabilizimi i kuadrit ligjor si dhe tek krijimi i një Autoriteti Teknik të përbërë nga fizikantë, që të bëjnë kontrollet.

Eksperti i mjedisit, z. Xhemal Mato mbajti prezantimin: Politika mjedisore në mbrojtjen nga ndotja akustike në vendin tonë. Të dhënat zyrtare të AKM tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet arrin në vlerën 70 dB ditën dhe 57 dB natën, pra rreth 20 dB më e lartë se standardi i BE, për nivelin kufi të ndotjes akustike. Shteti nuk po i kushton rëndësi programeve për mbrojtjen e mjedisit, e kjo reflektohet tek buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që nga viti në vit ka rënie.  Si rezultat i një buxheti të cunguar nga ana e MTM-së, AKM e ka të pamundur të plotësojë objektivat e saj dhe të Programit Kombëtar të Monitorimit për matjen e zhurmave mjedisore. – u shpreh ndër të tjera z. Mato.

Organizata Ekovolis po bën fushatë informuese-ndërgjegjësuese të publikut dhe vendimmarësve dhe gjithashtu do të loboj tek institucionet kompetente, që të ndërmerren politika efikase anti zhurma.

Znj. Diana Mile, drejtoreshë e mjedisit në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se Plani Lokal i Veprimit për Zhurmat që bashkia po harton, do të sjell një përmirësim të problematikës së zhurmave në qytetin e Tiranës dhe si pjesë e këtij plani do të krijohet Inspektoriati i Ndotjes Mjedisore brenda Bashkisë së Tiranës.

Sipas një anketimi që organizata Ekolvolis realizoi në 3 zona (21 Dhjetori, Libri Universitar, Astir), 70% e të anketuarve rankuan transportin si burimin kryesor të ndotjes, 20 % ndërtimet dhe 10% baret dhe klubet e natës. Në lidhje me transportin, ato evidentuan problemin me trafikun, rënjen e borive nga shoferët dhe motorrat e picerive. Sipas znj. Diana Mile motorrat e picerive, nuk kanë kualidim dhe do të kërkohet që të zëvendësohen me motorra elektrikë. Nga anketimi rezultoi se 90% e të anketuarve nuk kishin bërë ndonjëherë ankimim, për shkak të skepticizmit që ata kanë se ankesat e tyre do të merren në konsideratë.

Ekovolis ka planifikuar që të zhvilloj në muajt pasardhës një tjetër takim ku do të mbledh të gjithë grupet e interesit si: Instituti i Shëndetit Publik, Inspektoriati Ndërtimor, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Bashkia e Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, organizata mjedisore, studentë të inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës, aktivistë dhe përfaqësues nga komuniteti. Qëllimi i këtij takimi është diskutimi për të vënë në lëvizje institucionet që të marrin masa për të garantuar qetësinë publike.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit: “Politika mjedisore të veprojë realisht ndaj ndotjes se zhurmës, këtij armiku të padukshem të shëndetit publik”, si pjesë e programit ideAL, zbatuar nga Ecovolis, mbështetur nga Co-PLAN dhe financuar nga Bashkimi Evropian.