Qytetarët, zhurmat një kërcënim real në cilësinë e jetës

Sapo i flet për ndotjen nga zhurmat, qytetarët nuk ngurojnë të përgjigjen. Të gjithë të anketuarit në zonat urbane të Bashkisë së Tiranës, u shprehën se zhurmat përbëjnë një problem real dhe serioz për shëndetin e tyre. Kur i pyesje mbi informacionet që ata kishin mbi problemet shëndetësore nga zhurmat, ata identifikonin kryesisht problemet me dëgjimin. Nga studime të ndryshme të zhvilluara në botë, efektet e dëmshme të zhurmës janë shumë dimensionale: janë fizike, psikologjike, shëndetësore, sjellin probleme në komunikim, ndikojnë në efiçencën tonë në punë etj.  Madje, ata nuk ndihen të qetë as në mjediset e shtëpisë së tyre. “Nuk guxojmë të hapim dritaren për ajrosje, pasi zhurmat e jashtme nuk na lejnë të dëgjojmë as televizor”, u shpreh një qytetar që banon tek stacioni i Trenit. 

70% e të anketuarve shprehën shqetësimin e ndotjes akustike nga transporti (vecanërisht nga motorrat e picerive e restoranteve dhe nga ambulancat), 20% nga ndërtimet dhe 10% nga baret dhe klubet e natës. Një farmaciste, pranë Librit Universitar, u shpreh se ata si komunitet kishin bërë ankesë tek Bashkia, për zhurmën e shkaktuar nga motorrat e një picerie pranë pallateve të tyre, por ankesa e tyre kishte shkuar në vesh të shurdhër. “Ndaj ne si komunitet e kemi humbur besimin tek institucionet lokale dhe qendrore”, u shpreh ndër të tjera, farmacistja 67 vjeçare. 90% e të anketuarve u shprehën se nuk kanë bërë ankesë pikërisht për shak të skepticizmit që ata kanë, se problemet e tyre do të gjejnë ndonjëherë zgjidhje.

Një tjetër problem është mungesa e statistikave që evidentojnë korelacionin midis zhurmave dhe ndikimin që ato kanë drejtpërdrejtë tek problemet në dëgjim, apo probleme të tjera shëndetësore. “Perceptimi ynë si qytetar është që ka lidhje midis tyre, por nuk ka fakte, të dhëna shkencore dhe statistika” – u shpreh një zotëri 31 vjeç. Në mungesë të statistikave, kjo mund të evidentohet në mënyrë të tërthortë, për të parë numrin e personave që kanë probleme me dëgjimin në qendrat shëndetësore në zonat ku ndotja nga zhurmat është më e lartë, nga monitorimi që po kryen shoqata Ecovolis, krahasuar me zonat e tjera ku niveli i ndotjes akustike është më i ulët.

Një nga të anketuarit, një zotëri 52 vjeç u shpreh se kishte probleme me dëgjimin, pikërisht nga zhurmat. “Nëse shteti ynë do të kishte menduar për ne, nuk do të vuaja këto pasoja tani, kam probleme me dëgjimin, por përveç kësaj, zhurmat më kanë shkaktuar edhe probleme psikologjike, nuk duroj dot më asnjë lloj zhurme”. Një tjetër problem përsa i përket zhurmave në mjedise të brendshme lidhet me ndërtesat. Përgjithësisht, ndërtesat tona nuk kanë izolim akustik e për rrjedhojë zhurmat ndihen më shumë. Vetëm 25% e të anketuarve u shprehën se kishin marrë masa, për të zbutur nivelin e zhurmave në mjediset e tyre të brendshme, e masa e vetme që ata kishin marrë ishin dritaret dopioxham. Ndërsa pjesa tjetër u shprehën se nuk kishin marrë masa për shkak të kostos ekonomike.

“70% e të anketuarve shprehën shqetësimin e ndotjes akustike nga transporti (vecanërisht nga motorrat e picerive e restoranteve dhe nga ambulancat), 20% nga ndërtimet dhe 10% nga baret dhe klubet e natës.”

— JO ZHURMES

Duke bashkuar zërin qytetar (në saj të rritjes së informimit dhe ndërgjegjësimit)  dhe e bërë edhe më të fuqishëm, me ndihmën e shoqatës Ekovolis, do të lobohet në grupin parlamentar  të mjedisit, për ta informuar dhe nxitur që të ndikojë në zbatimin e ligjit dhe Planit Kombëtar të Veprimit ndaj Zhurmave.