Cilat janë planet e qyteteve europiane kundër ndotjes akustike?

Ndotja akustike dhe cilësia e ajrit janë shqetësimet kryesore për qytetet evropiane. Po Plani i Veprimit për Tiranën si qendron krahasuar me qytetet e tjera europiane?

Çdo vit, rreth 7 milionë njerëz vdesin para kohe për shkak të sëmundjeve të lidhura me ndotjen e ajrit në të gjithë botën – mbi 350 mijë prej tyre në zonën e BE-së. Imagjinoni sikur e gjithë popullsia e qytetit holandez të Utrechtit apo  e qytetit bullgar të Plodvivit të vdiste në vetëm një vit për shkak të ndotjes së ajrit atëherë ju do  të kishit një pamje më të madhe të problemit për qytetet dhe qytetarët evropianë.

Së bashku me cilësinë e ajrit, ndotja akustike është një tjetër preokupim i madh i qyteteve evropiane. I padukshëm, por i rrezikshëm, ai mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, për të mos përmendur se ndikon edhe në jetën e egër, duke qenë i dëmshëm si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Humbja e dëgjimit e shkaktuar nga ndotja akustike, shpesh shoqërohet me ndotjen e ajrit, për shembull, trafiku i rënduar dhe bllokimet e trafikut.

Si ndotja e ajrit, ashtu edhe ndotja akustike ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe disa qytete po kërkojnë mënyra për të zbutur problemin dhe madje për të planifikuar, për të shmangur problemet në të ardhmen e afërt.

Masat e mara së fundmi nga Bashkia e Tiranës kundër ndotjes akustike

Bashkia e Tiranës ka rikthyer kufizimet në lëvizje për mjetet e tonazhit të rëndë në kryeqytet. Përmes një udhëzimi që synon disiplinimin e trafikut në nisje të vitit 2022, sidomos në orët e para të mëngjesit, kur fëmijët shkojnë në shkollë, Bashkia e Tiranës bën të ditur se ka vendosur të ndalojë qarkullimin e mjeteve të rënda në brendësi të Unazës së Vogël të qytetit nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Gjithashtu, sipas urdhrit, ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të transportit të mallrave prej orës 07:00 deri në orën 09:00, si dhe i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton nga ora 09:00 deri në orën 20:00 në Unazën e Mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në akset kryesore hyrëse duke përfshirë dhe rrugët “Sulejman Delvina”, “Abdyl Frasheri”, “Ismail Qemali”, “Rruga e Elbasanit” dhe Bulevardi “Bajram Curri”. Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese nga ora 20:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa mjetet deri 3.5 ton nga 09:00 deri 20:00, sipas sinjalistikës së vendosur.

Po ashtu ndalohet edhe qarkullimi i mjeteve me ngarkese të përgjithshme mbi 18 ton në brendësi të Unazës së Madhe te qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse nga ora 06:00 deri në 20:00. Masat merren për efekt rregullimin e qarkullimit te mjeteve dhe lehtësimin e lëvizjes për prindërit që çojnë fëmijët në shkollë në mëngjes.

Valencia ka një plan

Qyteti i Valencias. Foto nga travelnow.or.crylater në Unsplash

Rrjeti i Mbikëqyrjes së Ndotjes Akustike në Valencia ka vendosur stacione të ndryshme të shpërndara në të gjithë qytetin.

Valencia po promovon dhe transformon gjithashtu sistemin e saj të transportit urban, duke përcaktuar një zonë të ulët të emetimeve dhe duke avancuar në dekarbonizimin e qytetit, me një grant nga Bashkimi Evropian. Do të shtohen 4 korsi të reja biçikletash dhe plani është që të përfshihen gjithashtu 20 autobusë të rinj elektrikë dhe të përmirësohet aksesi në stacionet e autobusëve.

Pavarësisht se ka një sërë strategjish brenda Planit të Veprimit të qytetit për të trajtuar ndotjen e ajrit dhe zhurmës – të tilla si përmirësimet akustike në zonat e ndjeshme, reduktimi i zhurmës që lidhet me lëvizshmërinë, etj., lindin sfida.

Sipas Ana Viciano, Shefe e Shërbimit të Akustikës dhe Cilësisë së Ajrit në Këshillin Bashkiak të Valencias, ndër sfidat është “marrja e informacionit cilësor që ndihmon vendimmarrjen. Në këtë mënyrë, rrjeti i sensorëve akustikë dhe mjedisorë do të zgjerohet përmes iniciativave të ndryshme, përfshirja e qytetarëve në arritjen e objektivave; dhe marrja e më shumë financimeve për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e modelit të qytetit.”

Stara Zagora dhe Kosice nuk duan të mbeten pas

Photo by Mohammed Thoufik on Unsplash

Ashtu si Valencia, qyteti sllovak Kosice dhe Stara Zagora, në Bullgari, kanë plane për të zbutur ndotjen akustike.

Në nëntor 2021 – thotë Miso Hudak, anëtar i zyrës së zhvillimit strategjik të qytetit të Kosice, “ne përfunduam Masterplanin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik për Kosice, dhe kemi shtatë kapituj kushtuar temës së Zhvillimit të Gjelbër”.

Ai shpjegon se “zhurma dhe cilësia e ajrit kanë kapitullin e tyre me synimet kryesore për krijimin e rrjetit të monitorimit, rritjen e lëvizshmërisë së qëndrueshme me nën-qëllime të dedikuara për këmbësorët, çiklistët, transportin publik dhe mbështetjen e lëvizshmërisë elektrike dhe uljen e përdorimit të makinave individuale. Ne presim mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak në mes të dhjetorit, e cila do të shtojë masterplanin në buxhetin e vitit 2022”.

Helsinki rrit planifikimin e tij lokal duke u fokusuar në problemin e trafikut


Helsinki në vjeshtë. Foto nga Tapio Haaja

Milla Susi, Specialiste e Mjedisit në Divizionin e Mjedisit Urban të Helsinkit, për ndotjen akustike, thotë se “Helsinki ndjek një Plan Veprimi për Uljen e Zhurmës, i cili gjithashtu ndahet në tre tema: planifikimi dhe udhëzimi, ndikimi në burimin e zhurmës dhe reduktimi strukturor i zhurmës. Parandalimi i problemeve të shkaktuara nga zhurma është fokusi kryesor. Nevojiten veprime për uljen e nivelit të zhurmës.

Këto masa përfshijnë përdorimin e veshjeve kundër zhurmës, zvogëlimin e kufijve të shpejtësisë dhe reduktimin e përdorimit të gomave me thumba.”


Lumi në Valongo. Foto nga PixaBay

Në Portugali, Matosinhos dhe Valongo dhe eksperiencat e tyre

Zhurma dhe ndotja e ajrit janë shqetësimet kryesore për Matosinhos. I vendosur në veri të Portos, qyteti është një vendkalim për makinat, gjë që çon në bllokime të gjata trafiku dhe si rrjedhim në një përkeqësim të cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike në rajon – zgjerimi i portit të qytetit dhe rritja rrjedhimisht e ngarkesave kaluese, do të rrisë gjithashtu presion mbi cilësinë e ajrit.

Mënyra për të luftuar këtë rritje të pashmangshme të kamionëve, shpjegon Tiago Gomes, Teknik i Lartë i Departamentit të Mjedisit të Matosinhos, do të jetë “të inkurajojë përdorimin e transportit të butë dhe të përmirësojë infrastrukturën për të bërë të mundur çiklizmin e sigurt në qendër të qytetit“.

Përsa i përket zhurmës, në Valongo nuk kemi probleme të mëdha. Ne nuk kemi zona kritike, vetëm në afërsi të hekurudhave dhe rrugëve, por është një zonë që duhet punuar”, shpjegon Gisela Martins, shefe e Divizionit të Mjedisit të qytetit të Valongos.

Valongo merret me monitorimin e niveleve të zhurmës dhe cilësisë së ajrit në zonat me përqendrim më të madh të trafikut.

Qyteti ka punuar për përmirësimin e trafikut dhe lëvizshmërisë urbane, dekoncentrimin e trafikut nga qendra e qytetit dhe nxitjen e mjeteve alternative të lëvizshmërisë përmes shumë nismave të ndryshme, blerjes së automjeteve hibride dhe elektrike nga bashkia, për të dhënë shembull dhe për të promovuar praktikat e mira që synojnë dekarbonizimin; promovimin e përdorimit të transportit publik duke dekurajuar transportin individual; heqja e pengesave dhe rilyerja e vendkalimeve për këmbësorë; mbjellja, ndërtimi i shtigjeve për biçikleta etj.

Përpjekjet e Valongo-s janë vënë në dukje dhe qyteti sapo është vlerësuar me Çmimin Evropian të Gjethes së Gjelbër 2022 për përpjekjet e tij në mbrojtjen e zonave natyrore dhe mbështetjen e qytetarëve me të ardhura të ulëta në tranzicionin drejt qëndrueshmërisë.